Konjufca: Transparenca e Kuvendit të Kosovës është prej më të zhvilluarave në rajon

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka takuar organizatat partnere të këtij institucioni para të cilëve ka thënë se transparenca e Kuvendit është prej më të zhvilluarave në rajon. Ai ka thënë se Kuvendi, përmes partneritetit me shoqërinë civile, arrin të realizojë objektivat që janë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Konjufca ka thënë se Kuvendi i Kosovës zhvillon 13 projekte të partneritetit duke shtuar se organizatat partnere janë ato që japi kontribut të madh në punën e këtij institucioni.
“Për këto vite si institucion përfaqësues, pra Kuvendi bashkë me ju ka arritur që duke përfshirë sidomos shoqërinë civile në Kosovë ta kthejmë në nivel të partneritetit dhe të transparencës së Kuvendit, e cila është njëra prej më të zhvilluarave në rajon. Në fushën integruese janë forcuar kapacitetet me njësi të reja si qendra burimore për integrime evropiane, ndërsa në agjendën globale Kuvendi i Kosovës është një prej vendeve të pakta që e ka edhe këshillin për zhvillim të qëndrueshëm e tash që katër vjet është edhe pjesë e rrjetit të parlamentarëve kundër korrupsionit”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka thënë se janë të përkushtuar që 2025-tën ta shpallin vit të teknologjisë, duke zhvilluar aplikacionet inovative.
Ai u ka thënë organizatave partnere se takime të tilla duhet të mbahen se më shpesh që të jetë e mundur.

Back to top button