Konjufca u kërkon deputetëve të Portugalisë vazhdimin e përkrahjes për vizat

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Portugalisë, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni Sergio Souza Pinto.
Konjufca u shprehu mirënjohje deputetëve portugezë për ndihmën dhe përkrahjen e deritashme që Portugalia i ka dhënë Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit njëherësh kërkoi vazhdimin e kësaj përkrahjeje për liberalizimin e vizave dhe për proceset euro-integruese që ka përpara shteti ynë, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Nga ana e tij, kryesuesi i delegacionit portugez, Sergio Sousa Pinto, pasi e falënderoi për pritjen, e njoftoi kryetarin Konjufca lidhur me intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar përmes Grupit të Miqësisë i cili, siç bëri të ditur, pritet që së shpejti të formohet në kuadër të Parlamentit të Portugalisë. Pinto po ashtu konfirmoi mbështetjen për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
Sipas një komunikate të Kuvendit, në takim u shpreh gatishmëria e dyanshme për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja parlamenteve./21Media

Back to top button