Konstituimi i Kuvendit në vullnetin politik

Lëvizja Vetëvendosje të mërkurën doli kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se gjyqtarët e saj kanë tejkaluar rolin e tyre kushtetues në aktgjykimin i cili ka gjetur shkelje të Kushtetutës në rastin e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq. Por ish-nënkryetarja e Kuvendit, Emilia Rexhepi, në një intervistë ekskluzive për RTV21, tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen. Megjithatë, ajo bëri të ditur se ende nuk kanë vendosur nëse do të votojnë kandidatët e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
“Unë, si deputete, vazhdimisht i respektoj të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të respektohet Kushtetuta. Tash nuk e di se çfarë qëndrimi si grup do ta kemi, por patjetër, si deputetë, duhet ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës.”
Rexhepi, e cila kishte qenë zëvendëskryeministre në Qeverinë Kurti derisa u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, nuk ka preferuar ta komentojë qëndrimin e LVV-së kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Por deputetja Rexhepi tha se preferon që procesi i votimit për nënkryetar të Kuvendit të bëhet ndaras nga Lista Serbe.
“Për ne është më mirë të mos shkohet në pako votimi për nënkryetarët e Kuvendit nga komunitetet, por të votohet veç e veç për nënkryetarin nga komuniteti serb dhe për atë nga komunitetet joserbe. Do ta shohim në Parlament, në rendin e ditës, se si do të shkojë situata. Ndarja nga pako është në rregull dhe nuk përbën shkelje kushtetuese, sepse unë e kam vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarët nga komunitetet e tjera. Mundemi të votojmë edhe veç e veç.”
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të fillojnë procedurat e konstituimit të Kuvendit, pavarësisht se partia e tij e ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Juristi Anton Nrecaj tha se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar nëse nuk zgjedhen kryetari dhe pesë nënkryetarët e këtij institucione brenda kornizave kushtetuese.
“Kuvendi konsiderohet i konstituuar pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe pesë nënkryetarët. Në aktgjykimin e fundit, Gjykata e ka sqaruar shumë mirë se duhet të vazhdojë procesi i votimit të nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb. Në këtë rast, e drejta i takon grupit më të madh të komunitetit serb.”, tha Ndrecaj për rtv21
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, gjatë ditës nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për procesin e formimit të institucioneve.
Ndërkohë, analistët vlerësojnë se çdo vonesë në konstituimin e Kuvendit do të ketë pasoja për vendin.
“Ne jemi një vit vonë me ratifikimin e dy marrëveshjeve me BE-në, por kjo nuk është e tëra, sepse është paraparë një shumë prej 61 milionë eurosh për të filluar reformat. Ne ende nuk i kemi filluar reformat.”
Ish-kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, në seancën e tetorit të vitit të kaluar kishte vendosur që nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb të zgjidhet Nenad Rashiq. Ky veprim kishte shtyrë përfaqësuesit e Listës Serbe t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim./RTV21/21Media