Kontest ligjor mbi procesin e zgjedhjes së drejorit të IAP

Zgjedhja e drejtorit të Institutit Albanologjik, sipas ministres në detyrë të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, përbën shkelje ligjore.
Për këtë arsye, në ditën e tretë “të përplasjeve”, ajo ka kërkuar nga Prokuroria Speciale fillimin e procedurës penale, me pretendimin se janë kryer tri vepra penale.
”Ashtu siç kam paralajmëruar dy ditë më parë, sot përmes një shkrese i jam drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me ç’rast e kam njoftuar për shkeljet ligjore dhe kam kërkuar fillimin e procedurës penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës. Ndër të tjera, Prokurorinë e kam informuar se personat e dyshuar, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, kanë kryer së paku këto vepra penale: -Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas Nenit 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; -Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës, sipas Nenit 218 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; -Bashkëkryerja, sipas Nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. – ka shkruar Nagavci në facebook.
Reagimi i ministres në detyrë Negavci për anulimin e drejtorit të Insitutit Albanologjik të Prishtinës ka ardhur pas skadimit të afateve ligjore për ankesa ndaj vendimit. Për këtë arsye, drejtori i zgjedhur, Naim Berisha, e quan të pavend dërgimin e shkresës në Prokurori, duke thënë se nuk është shkelur asnjë dispozitë ligjore në procesin e zgjedhjes.
”Është çështje ligjore, për neve nuk ka diçka shqetësuese. Dërgimi ose informimi i Prokurorisë Speciale është i çuditshëm, i pavend dhe i panevojshëm, sepse çfarëdo gjetjesh ose çfarëdo trajtimi që do të mund ta bënte prokuroria, cilado qoftë ajo, prapëseprapë ne në gjykatë do të përfundojmë, kështu që çështja do të dërgohet, nëse jo nesër, në fillim të javës së ardhshme. Është çështje ligjore që ne jemi të bindur se kemi të drejtë, sepse nuk është shkelur asnjë dispozitë ligjore për zgjedhjen e drejtorit. Mos të harrojmë këtu bëhet fjalë për një institucion të pavarur kërkimor-shkencor, ndonëse është në kuadër të Ministrisë së Arsimit, ka statutin e personit juridik, ka organin më të lartë të Këshillit Drejtues, ka organet e veta kolegjiale, pra nuk bëhet fjalë për vendimmarrje individuale ose ngjyrime tjera çfarë po jepen”, tha Naim Berisha, Drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Sipas Berishës, vendimmarrja është bërë nga organet kolegjiale, ashtu siç e parasheh ligji, statuti dhe rregulloret e brendshme të institutit. Ai këtë qasje të Ministrisë së Arsimit e konsideron presion politik publik.
”Baza ligjore e vetme e zbatueshme për Institutin Albanologjik është Ligji për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, statuti i institutit dhe rregulloret e brendshme. Çështjet të cilat nuk i mbulojnë këto akte ligjore dhe nënligjore, në vazhdimësi dhe sipas logjikës së funksionimit ligjor në Kosovë, rregullohen me ligje tjera. P.sh. çështjet që i mbulon Ligji i Punës e që nuk mbulohen me bazë ligjore specifike, sigurisht thirret ai ligj. Pra kjo nuk do koment dhe për neve është e panevojshme dhe e konsiderojmë presion politik publik, të cilin nuk dimë si ta arsyetojmë”, tha Berisha.
Viteve të fundit, Naim Berisha ka fituar disa herë konkursin për pozitën e drejtuesit të Institutit Albanologjik, por emërimi i tij është anuluar nga Ministria e Arsimit./RTV21/21Media