Kaloni te përmbajtja kryesore

Kontigjenti italian dhe Ambasada Italiane – Një urë kulturore për stabilitet në Kosovë

Në mbrëmjen e 4 qershorit, si pjesë e iniciativave për të festuar Ditën e Republikës Italiane, kontingjenti italian i misionit KFOR, në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën Italiane në Kosovë, organizoi një koncert në Camp Film City. Eventi u zhvillua në prani të Ambasadorit Italian në Prishtinë, autoriteteve civile dhe ushtarake, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe familjeve të artistëve të rinj pjesëmarrës.

Në shfaqje morën pjesë “Kori Femijeve Okarina”, një kor i përbërë nga fëmijë të moshës 5 deri në 12 vjeç të njohur ndërkombëtarisht për punën e tyre artistike. Ata u shoqëruan nga një performancë tërheqëse e vallëzimit tradicional nga studentë të Institutit Don Bosko, një institucion kryesor arsimor në Prishtinë me traditë saleziane.

Ambasadori italian, Dr. Maurizio Antonini, përshëndeti të pranishmit, duke shprehur falënderime të ngrohta për pjesëmarrjen e madhe dhe duke riafirmuar miqësinë që lidh Italinë dhe Kosovën, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështetjes për komunitetet lokale.

Në fjalën e tij hapëse, Zëvendës Komandanti i misionit KFOR, Gjeneral Brigade Federico Collina, theksoi vlerën e dialogut dhe muzikës si mjete që bashkojnë njerëzit, duke vënë në dukje rolin dhe kontributin e kontingjentit italian në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm.

 

Iniciativa synonte të forconte lidhjet midis komuniteteve lokale dhe të promovonte stabilitetin përmes kulturës dhe artit, duke ofruar një platformë shprehjeje për talentet e reja lokale. Kjo nënvizoi rolin e misionit KFOR jo vetëm si garantues i sigurisë, por edhe si promovues i mirëqenies sociale dhe kulturore, duke respektuar shkëmbimin ndërfetar dhe ndëretnik.

Kontingjenti italian vazhdon të luajë një rol themelor në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, duke kontribuar në mënyrë aktive në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në përputhje me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button