Kontrollet sistematike do të zhvillohen në 51 shkolla të kryeqytetit

Kontrollimi mjekësor i nxënësve nëpër shkollat e komunës së Prishtinës do të nis në muajin e ardhshëm. Drejtori për shëndetësi në komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se në kontrolla mjekësore do përfshihen rreth 10 mijë nxënës.
“Jemi duke bërë përgatitjet për fillimin edhe këtë vit, edhe vitit të kaluar kemi filluar në nëntor dhe besoj që edhe këtë vit do të fillojmë në nëntor projektin e vizitave sistematike, e cila do t’i vizitohen dikun reth 10.000 nxënës. Komplet kontrollat tek fëmijët, vizita e stomatologut, vizitat familjare e të gjitha me qëllim me i përfshi të gjitha si higjena e fëmijëve, gjendja e boshtit kurrizor, të pamurit pra të gjitha kontrollat e organizmit”, tha ai.
Drejtoritë e shkollave në Prishtinës vlerësojnë se kontrollimi shëndetësor i nxënësve duhet të bëhet më shumë se një herë në vit.
“Zakonisht kontrollat bëhen një herë në vit, unë mendoj që këto kontrolla, përveç atyre që janë të planifikuara të bëhen në mënyrë sistematike, sepse e kam vrejt edhe te nxënësit tanë janë të domosdoshme këto kontrolla. Është mirë që jo vetëm një herë në vit, por se paku një herë në çdo gjysmë vjetor të kemi kontrolla, të përgjithshme shëndetësore te fëmijët”, tha për RTV21 Visar Osmani , drejtor i shkollës “Emin Duraku”.
Edhe Naim Jashari, drejtor i shkollës “Asim Vokshi”, tha se këto kontrolle duhet të bëhen më shpesh.
“Kontrollat sistematike të cilat bëhen nëpër shkolla janë shumë të domosdoshme dhe të nevojshme. Unë mendojë se nashta është mirë me u bë me shpes”, tha Jashari.
Kontrollet shëndetësore të nxënësve do të bëhen në 51 shkolla të komunës së Prishtinës./21Media