Koronavirusi, kosto në bursa e turizëm

Koronavirusi problem për ekonominë dhe bursat globale

Epidemia e koronavirusit pritet t’i kushtojë turizmit botëror mbi 50 miliardë dollarë nëse do zgjatë me muaj. Efektet e krizës po reflektohen në bursa, ndërsa ekspertët presin që disa nga ekonomitë kryesore në Evropë të bien në recesion teknik në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit.

Frika e përhapjes së koronavirusit vazhdon të krijojë probleme për ekonominë dhe bursat globale.

Indeksi i Dou-Xhonsit në New York është ulur me 11 për qind që nga fillimi i javës, po aq edhe Standard & Poor’s, ndërsa të premten përpos tregjedeve aziatike edhe ato në Paris, Londër, Frankfurt, Madrid dhe Amsterdam ranë secila mbi 3 për qind.

Dollari po këmbëhet më lart kundrejt euros, ndërsa nafta bruto po shitet poshtë 50 dollarëve për fuçi.

“Parashikojmë që me krizën aktuale epidemike të kemi një kosto prej 22 miliardë dollarë në turizmin global, pasi shumë turistë po prire n të anulojnë lëvizjet jashtë shtetit. Nëse kriza zgjat me muaj sa sindromi i SARS-it në vitin 2002, kostoja do të rritet në 50 mld dollarë“, tregon Gloria Guevara, shefja e Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit.

“Është e qartë se në tremujorin e parë dhe të dytë do të shohim disa shtete në recesion teknik. Virusi do të bëjë që njerëzit të shpenzojnë më pak para. Një zgjidhje për Bankën Qendrore Europiane do të ishte financimi i buxheteve europiane me kushtin që ai fond të hidhet në ekonomi brenda muajit, siç vepron Hong-Kongu”,  shprehet një bankier gjerman.

Holanda, Zelanda e Re, Bjellorusia, Litunia dhe Nigeria janë nga vendet e fundit që kanë konfirmuar pacientë bartës të koronavirusit.

Më shumë se 50 shtete në botë kanë raportuar një total prej 83 mijë të infektuarish e 2 mijë e 900 të vdekur, shumica në Kinë, por po dyfishohen rastet edhe në vende si Koreja e Jugut, Italia, Franca e Gjermania.

Back to top button