Korridori 8 me vonesa dhe sfida të vazhdueshme!

Punimet për Korridorin 8 – në autostradën që lidh Maqedoninë e Veriut me vendet fqinje, edhe në vitin 2025 hasën në sfida të shumta. Kryeministri Hristijan Mickoski në fillim të vitit tha se është paraqitur problem edhe te rruga Trebenisht-Qafë Thanë ku, siç deklaroi, një pjesë ku kalon rruga është e mbrojtur nga UNESCO.

“Diskutabile është rruga nga Qafë Thanë deri në Trebenisht, sepse ajo pjesë hynë në perimetrat që janë të mbrojtura nga UNESCO dhe duhet të shihet si bëhet, çfarë do të bëhet dhe si më tutje do të lëvizin gjërat, cilat vendime do t’i sjellim, sepse ashtu e kanë lënë qeveria e kaluar”, pati deklaruar Mickoski.

Këtë e tha edhe ministri i transportit Aleksandar Nikolloski.

“Pres që në muajin mars bashkë me Ministrinë e Kulturës, kryetarin e Ohrit dhe ekspertët tjerë të fushës në Paris kemi takim të nivelit të lartë ku do t’i diskutojmë këto çështje dhe nuk do të shkojmë kundër rekomandimeve të UNESCO-s do të veprojmë në bazë të kërkesave të tyre ose do të ndryshojmë trasenë ose do të lëvizim trasenë”.

Në fund të qershorit nga kompania ndërtuese thanë se punimet për segmentin Gostivar-Kërçovë po zhvillohen sipas planit dhe se 80% e ndërtimit të urës së pestë tashmë ishte përfunduar.

Zëvendësministrja e Transportit Kaltrina Zekolli në emisionin Click Plus në TV21, theksoi se Korridori 8 duhet të përfundojë në vitin 2029. Mes tjerash ajo tregoi se projekti i kalon 1 miliard euro, duke shtuar se 600 milionë euro janë shfrytëzuar në pjesën Kërçovë-Ohër.

TV21: Afati fundit për t’u kryer komplet Korridori 8?
Kaltrina Zekolli: Është në vitin 2029
TV21: Për sa do të mbërrijmë nga Shkupi deri në Qafë Thanë?
Kaltrina Zekolli: Besoj se shumë më shpejt se sa që arrijmë tani dhe me problematika që i kemi hasur ndër vite në këto rrugë.
TV21: E përmende problemin që ka qenë më herët në pjesën Kërçovë – Ohër, atëherë ka punuar kompania kineze, vazhdon të jetë e njëjta kompani:
Kaltrina Zekolli: Po.
TV21: Sa do të kushtoje në përgjithësi vlera totale?
Kaltrina Zekolli: Projekti kalon 1 miliard euro, tani për momentin të shfrytëzuara janë në pjesën Kërçovë – Ohër rreth 600 milionë euro.

Pas 11 vitesh që nga fillimi i ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër, deri më tani funksionale janë 20 kilometra, segment ky i lëshuar në përdorim katër muaj më parë nga Vrbjani deri në Botun. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i transportit Aleksandar Nikolloski në dhjetor tha se po punohet intensivisht në rrugën pranë Bukojçanit, si dhe në rrugët Tetovë-Gostivar dhe Ohër-Kërçovë.

Ndryshe autostrada filloi të ndërtohet në vitin 2014, gjatë kohës së VMRO-DPMNE-së kur Nikolla Gruevski ishte kryeministër, dhe ende nuk është përfunduar. Qeveria e atëhershme e VMRO-DPMNE-së premtoi se autostrada e re do të jetë gati për 4 vjet, megjithatë, me ardhjen në pushtet të LSDM-së në vitin 2017, dolën shumë probleme të pazgjidhura në trase. Projekti fillestar pësoi ndryshime për shkak të një mospërputhjeje midis rrugës së projektuar dhe asaj të ndërtuar, aktivitetet e ndërtimit u ndaluan dhe çmimi për këtë u pagua nga qytetarët, dhe një marrëveshje e re aneks u nënshkrua me kompaninë kineze për 185 milionë euro shtesë.

Sa i përket rrugës Shkup-Bllacë, njëjtë si qeveria e kaluar, edhe kjo aktualja kah mesi i janarit filloi të japë dhe të shkelë afate! Kjo për shkak se që në fillim të vjeshtës 2024, zyrtarë të Qeverisë nga radhët e VLEN-it, kompetentë për projektet infrastrukturore, u patën zotuar se 2 kilometrat e para të Shkup-Bllacë do të jenë gati në nëntor 2024.

-Kemi një sinjal të mirë këtu te dy kilometërshi i parë, do të përfundohen në afat prej dy muajve dhe do të lëshohet në qarkullim.
-Dy muaj nga tani..
-Po nga tani…
-D.m.th. jemi shtator, në fund të tetorit?
-Dy muaj, po, aty do me thënë.

“Mendoj që brenda muajit të ardhshëm të përfundojnë punimet komplet”, pati deklaruar Nazim Taipi.
-D.m.th në nëntor.
-Po në nëntor.

E pyetur se pse nuk u përurua, zëvendësministrja Zekolli-Shaqiri tha se autostrada është gati, por duhet të përfundojë edhe procedura për shpronësimin e tokës.

Në fund të janarit Zekolli tha se ky segment prej 2 km që nga fillimi ka kushtuar hiç më pak se 24 milionë euro. Ajo tha se për segmentin e dytë do të hapet tenderi nga mesi i 2025-tës, me të gjitha procedurat, që në verë të nisin punimet.

Në korrik zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti për TV21 tha se është çështje orësh kur do të hapet tenderimi për pjesën e dytë të rrugës Shkup-Bllacë, duke kritikuar qeverisjen e kaluar pjesë e së cilës ishte BDI, se me vite folën për këtë projekt por e lanë me vetëm 2 kilometra. Nga ana tjetër në atë kohë nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, i pyetur për këtë projekt tha se nga partitë e qeverisjes aktuale, gjithnjë ka pasur sabotime politike.

Në dhjetor zëvendësministrja e transportit Zekolli-Shaqiri deklaroi se në dhjetor 2025 do të nisin punimet për autostradën Shkup-Bllacë, ku sipas saj, punimet nisin nga Shkupi për në Bllacë, andaj edhe 2 kilometrat, tashmë të përfunduara, nuk do të mund të lëshohen në përdorim, pasi shtrimi i asfaltimit përfundon në një hapësirë të lartë kodrine. Ajo uron që kushtet atmosferike të mos e prolongojnë nisjen e punimeve për në pranverë.

“Kanë aplikuar diku 11 kompani të vendit dhe ndërkombëtare, rrethi është zvogëluar në tre kompani që i plotësojnë kushtet më shumë. Ajo që më gëzon është se ofertat janë brenda buxhetit të paraparë.
Madje disa shifra janë shumë më të kapshme sesa i kemi paramenduar ne se do t’i shohim kur t’i hapim. Mund të them se për shumë pak, apo brenda muajit do të fillojnë punimet në këtë rrugë. Këtë e them dhe uroj që kushtet klimatike mos të na vështirësojnë për të ngecur ndoshta për në janar-shkurt apo në pranverën e hershme për të filluar me energji të re dhe ritëm të plotë”, deklaroi në dhjetor Kaltrina Zekolli.

Ndërsa më 29 dhjetor nga kabineti i saj u përgjigjën se punimet nuk kanë nisur, jo për shkak kushteve klimatike, por arsyet e vonesës, janë procedurat burokratike të institucionit financiar dhe periudhës së festave të fundvitit.

Një projekt tjetër infrastrukturor shumë i përfolur ishte rruga Tetovë-Prizren. Në janar, Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës të RKS-së, Liburn Aliu, së bashku me ministrin e Transportit të RMV-së, Aleksandar Nikolloski, inskeptuan punimet në projektin e ndërtimit të këtij aksi. Sipas Aliut, ky projekt i rëndësishëm, me vlerë mbi 33 milionë euro dhe gjatësi prej 20.349 km, do të rrisë bashkëpunimin mes dy shteteve tona dhe do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave. Homologu i tij nga Maqedonia Nikolloski, bëri të ditur se kjo rrugë do të hap shumë mundësi për të dyja vendet, ndërsa tregoi se ata kanë nënshkruar tenderin për dizajnimin e rrugës për pjesën që i takon atyre e më pas do të bëhet edhe dizajnimi i tunelit të përbashkët në pikën kufitare mes dy shteteve.

Por edhe pse u bë gati një vit nga këto deklarata, rruga Tetovë-Prizren vazhdon të presë në sirtarët e ministrive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Zëvendësministrja e Transportit e Maqedonisë tha se që nga ardhja e saj në këtë funksion ka arritur që detyrën projektuese ta dorëzojë te pala e Kosovës, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga atje. Sipas saj, janë ndarë 2 milionë euro për projektimin e projektit kryesor.

“Në fillim të mandatit tim hasëm në një memorandum bashkëpunimi mes dy qeverive, por që nuk kishte lëvizur asnjë hap në kuadër të tij. Brenda një viti arritëm ta kalojmë fazën e detyrës projektuese, e përgatitëm dhe e dorëzuam te pala kosovare, por për shkak të procesit zgjedhor pati ngecje në miratimin nëse gjithçka është në rregull. E mira është se 2 milionë euro janë ndarë në buxhetin e “Rrugëve shtetërore” për hapjen e tenderit për projektin kryesor”, Kaltrina Zekolli.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se komuna ka hapur një tender për projektimin e një qarkoreje mbi fshatin Shipkovicë, e cila do të shërbejë si rrugë që kalon mbi fshat dhe do të lidhë zonën me fshatrat e Malësisë së Tetovës, deri te tuneli Tetovë-Prizren.

“Besoj se, me përmbylljen e procedurave administrative dhe përzgjedhjen e operatorit, diku në pranverë do të nisin edhe punët në terren për depërtimin e këtij bypass-i”, Bilall Kasami.

Rruga Tetovë-Prizren premtohet prej vitesh. Edhe pse qeveritë nga të dyja anët kanë deklaruar vazhdimisht se janë duke projektuar ose duke përgatitur projekte, deri më tani asnjë punë konkrete nuk është parë në terren. Kjo rrugë do ta lidhte Tetovën me Prizrenin për rreth 45 minuta, në vend të rrugës aktuale që zgjat mbi tre orë./TV21

Back to top button