Kos bën thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës

Komisionerja për Zjerim e BE’së, Marta Kos, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve në Kosovë, që do të mundësonin zbatimin e reformave evropiane dhe përfitimin nga mjetet financiare të Planit Evropian për Rritje.
“Tani është në interes të Kosovës që të formojë shpejt institucionet e saj, në mënyrë që të çojë përpara reformat urgjente evrpiane. Ndër to, nënshkrimi dhe ratifikimi i marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje duhet të trajtohen me prioritet nga qeveria dhe kuvendi i ri. Kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera”, tha Kos.
Debati për Kosovën është zhvilluar të martën mbrëma në prag të votimit të Rezolutës e cila, ndër të tjera, do të kërkojë që procesi i dialogut me Serbinë të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
Rezoluta do t’u bëjë thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë. Në të do të përshëndetet aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, si dhe mbështetja për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Autor i rezolutës që do të votohet është eurodeputeti Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.