Kaloni te përmbajtja kryesore

Kosova dhe Iowa nënshkruajnë marrëveshje për rritje të bashkëpunimit

(Lajm i përditësuar)

Kosova dhe Iowa nënshkruajnë marrëveshje për rritje të bashkëpunimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin në lirimin e tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe. Ajo ka nënvizuar se aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale për Kosovën.

Osmani, pasi priti në takim guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds, tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së janë të rrënjosura në vlera të përbashkëta për demokraci, sundim të ligjit dhe paqe e siguri.

“Shpreh falënderimet e përzemërta për kontributin që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirimin e tre policëve të Republikës së Kosovës, të cilët po mbaheshin të kidnapuar pas aktit të agresionit që Serbia kishte kryer ndaj Republikës së Kosovës. Ata tash janë të lirë duke u kthyer në Republikën e Kosovës dhe tek familjet e tyre”, tha ajo.

Presidentja Osmani dhe guvernatorja Reynolds nënshkruan edhe marrëveshjen e marrëdhënieve së shteteve simotra mes Kosovës dhe Iowa-s, e cila do të fuqizojë bashkëpunimin edhe më tej në fushën e sigurisë, arsimit, kulturës dhe bujqësisë.

“Sot me nënshkrimin e marrëveshjes së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s dëshmuam edhe një herë përkushtimin tonë për të hapur kapituj të ri të bashkëpunimit dypalësh. Kjo marrëveshje do të luajë rol jetik në zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të ndërsjellë, përfshirë arsimin, kulturën, turizmin, bujqësinë, tregtinë dhe fushën e energjisë. Po ashtu do të krijojë instrumente për koordinim të shtuar mes dy vendeve tona edhe fushën e mbrojtjes. Një bashkëpunim ky që ka qenë esencial mes FSK-së dhe Iowa-s. Por mbi të gjitha marrëveshja e nënshkruar sot do t’i hap rrugë përafrimit dhe përfitimeve të drejtpërdrejta të qytetarëve tanë. Për Republikën e Kosovës aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale. Qytetarët tanë janë populli më pro amerikan në botë, prandaj siç i shpreha guvernatores në Kosovë ju gjithnjë do të qeni miqtë dhe partner të përkushtuar. Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së janë të rrënjosura në vlera të përbashkëta dhe angazhimin tonë për demokraci, sundim të ligjit, paqe dhe siguri në vend dhe rajon”, tha Osmani në konferencën e përbashkët për medie me guvernatoren Reynolds.

Ndërkaq, guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds, shprehu përkushtimin për të zgjeruar bashkëpunimin me Kosovën.

“Marrëdhënia jonë speciale është e ndërtuar në një themel të fortë të partneritetit në fushën e sigurisë të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila vazhdon të lulëzoj edhe tani…Kjo është një dëshmi aq e fuqishme e ndikimit që partneriteti ynë mund të ketë. Mund të dini se sa jemi të përkushtuar për të zgjeruar partneritetin dhe bashkëpunimin tonë edhe më tej, në fushën e sigurisë, edukimit dhe në lidhjet e reja komerciale”, tha ajo.

Paraprakisht, Osmani dhe Reynolds shprehën solidaritetin dhe mbështetjen për vërshimet në Pejë, ku humbën jetën një grua së bashku me djalin e tij.

Gjatë ditës, guvernatorja Reynolds u prit në takim edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.

​Nis takimi Osmani-Reynolds

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Guvernatoren e Shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe Guvernatorja Reynolds do të nënshkruajnë marrëveshjen e marrëdhënies së shteteve simotra dhe bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shtetit të Iowa-s, derisa do të ketë edhe deklarim për medie.

Guvernatorja Reynolds gjatë qëndrimit në Kosovë do ta takojë edhe liderë të tjerë institucional.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button