Kosova do të kryesojë për dy vjet Ditën Botërore të Pastrimit

Kosova do të jetë nikoqire e koordinimit dhe kryesimit të Ditës Botërore të Pastrimit, për vitet 2019 dhe 2020

Republika e Kosovës sot zyrtarisht ka marrë besimin e “Let’s Do It World” për koordinimin dhe kryesimin e Ditës Botërore të Pastrimit.

Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Fatmir Matoshit në kuadër të vizitës zyrtare në Tallin të Estonisë i është kumtuar lajmi se Republika e Kosovës do të jetë nikoqire e koordinimit dhe kryesimit të Ditës Botërore të Pastrimit, për vitet 2019 dhe 2020.

Sipas një komunikate të MMPH-së, Matoshi ka thënë se ndjehet krenar me të arriturat e Kosovës në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, duke shprehur kështu se vendi ynë ka dhënë mesazh pozitiv në Tallinit të Estonisë për çështjen e mjedisit.

“Kosova këtu ishte model për shumë vende të botës për angazhimin qytetar në përmirësimin e ambientit”, ka thënë ministri.

I pari i MMPH-së, Matoshi ka falënderuar për angazhim të gjithë aktivistët, vullnetarët dhe qytetarët të cilët për tre muaj iu bashkuan aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Urime Drejtorit të Ditës Botërore të Pastrimit Luan Hasanaj, gjithë stafit të Let’s Do It Kosova dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ministri Matoshi.

Dita Botërore e Pastrimit do të koordinohet dhe kryesohet nga Kosova duke filluar më 21 shtator 2019./21Media

Back to top button