Kosova fqinje e Maqedonisë edhe me Kushtetutë

Pranohet amendamenti i Aleancës

U pranua amendamenti i ASH-së që në kushtetutën e Maqedonisë të bëhet ndryshim dhe të shtohet që Maqedonia përveç me Serbinë, Bulgarinë, Greqinë, Shqipërinë, kufizohet edhe me Kosovën. Me këtë Maqedonia do ta njeh Kosovën si fqinje edhe në Kushtetutë.

Deputeti i Aleancës së shqiptarëve Syrija Rashidi tha se një gjë e tillë është e pashmangshme për shkak se Republika e Maqedonisë e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur.

“Propozojmë që neni 1A me propozim të deputetëve të ASH-së të jetë kufiri shtetëror i RM-së është kufi, me kufi ekzistues me R. Shqipërisë, Bulgarisë, Greqisë , Serbisë si dhe me R. Kosovës”, tha Syrja Rashidi, Deputet i ASH-së.

Në të njëjtën seancë u ndryshua edhe neni që definon shtetësinë e qytetarëve të Maqedonisë. Fillimisht deputetët Syrija Rashidi dhe Fadil Zendeli kishin propozuar dy amendamente me të cilët kërkohej që shtetësia të definohet vetëm si “shtetas të Republikës së Maqedonisë së veriut”, por ky propozim u refuzua.

“Qytetarët e RM-së kanë shtetësi të R. Maqedonisë, çka doni më shumë nga kjo , çka duhet më tepër ti shtohet kësaj ti shtohet për veç qëllimeve dhe tendencave etnike dhe shtetin e R. Maqedonisë së Veriut ta identifikoni me etnicitetin Maqedonas, kurgjo tjetër nuk ka”, u shpreh Fadil Zendeli, Deputet i L. Besa.

Më pas për temën e njëjtë, deputeti Muhamet Zeqiri kishte propozuar amendament me të cilin pas emërtimit të shtetësisë maqedonas/qytetarë të Republikës së Maqedonisë së veriut të shtohen edhe fjalët që nuk përcakton përkatësinë etnike të qytetarëve.

Një amendament tjetër të ngjashëm kishte propozuar edhe deputetja Elizabeta Kançevska Milevska, andaj si në rastin e parë edhe këtu, me sugjerim të zëvendës ministrit Zhernovski, u përpilua një amendament i ri i përbashkët dhe i njëjti më pas u miratua, duke shtuar në fund të nenit fjalët se shtetësia nuk definon dhe nuk përcakton përkatësinë etnike të qytetarëve.

U pranua edhe amendamenti i tetë deputetëve të pavarur të VMRO-DPMNE-së me të cilin kërkohet që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi vetëm pasi që marrëveshja e Prespës të ratifikohet në Kuvendin e Greqisë, bashkë me protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.

“Amendament, të parashihet se të gjitha amendamentet kushtetuese do të hyjnë në fuqi nëse Greqia e përmbush obligimin e vetë dhe ratifikon protokollin për anëtarësim tonë në NATO ku me fjalë tjera nuk do të ketë mundësi ta pranojmë përcaktimin gjeografik dhe përsëri të na bllokohet anëtarësimi në NATO”, tha Elizabeta Kançevska Milevska, Deputete e Pavarur e VMRO-DPMNE-së.

“Qeveria e RM-së mendon këto janë garanci shtesë në qëllimin tonë të përbashkët dhe ne e pranojmë amendamentin”, u shpreh Andrej Zhernovski, Zv/Ministër i Punëve të Jashtëm.

Komisioni kuvendor për çështje kushtetuese në mbledhjen e sotme e shqyrtoi propozim-ligjin kushtetues për zbatimin e amendamenteve prej 33 deri 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe konkludoi ta dërgojë për procedurë të mëtutjeshme./21Media

Back to top button