Kosova ftohet për herë të parë në Konferencën e Palëve (COP28)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ftohet për të marrë pjesë nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe.

”Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar ftesën zyrtare nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed Al Nahyan, për takimin e liderëve në kuadër të Konferencës COP28. COP (Konferenca e Palëve) është konferencë e rregullt vjetore e nivelit të lartë e organizuar nga Kombet e Bashkuara me fokus në ndryshimet klimatike. Është hera e parë që Kosova ftohet në takimin e liderëve të COP-it, që nga themelimi i kësaj iniciative. Me këtë rast, Presidentja Osmani priti në takim Ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe, znj. Nabila Al Shamsi, e cila ia dorëzoi personalisht ftesën për këtë konferencë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Osmani theksoi se ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, duke qenë se është hera e parë që Republika e Kosovës po ftohet zyrtarisht dhe po trajtohet si palë e barabartë.

Tutje, Osmani theksoi se Kosova ka gatishmëri të plotë për t’u angazhuar në mënyrë sa më aktive në çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e ndryshimeve klimatike dhe se, si e tillë, Kosova duhet të jetë pjesë e çdo tryeze ku diskutohet për këtë temë jashtëzakonisht të rëndësishme e shqetësuese, jo vetëm për shtetin tonë.

Nikoqir i COP28 këtë vit janë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe konferenca do të mbahet në fund të nëntorit dhe fillim të muajit dhjetor të këtij viti. COP28 është shndërruar tashmë në takimin kryesor të liderëve botërorë, në cilën diskutohen problemet dhe sfidat në fushën e ndryshimeve klimatike./21Media

Back to top button