Kosova hyn zyrtarisht në familjen botërore të golfit

Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation (IGF), duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në historinë e sportit të golfit në vend. Federata e Golfit e Kosovës njoftoi se ky vendim vjen pas shumë vitesh përpjekjesh të pandërprera dhe e vendos Kosovën në hartën botërore të golfit, duke i hapur rrugë edhe ëndrrës olimpike. “Anëtarësimi në IGF nuk është vetëm një status formal – është një dëshmi e rrugëtimit tonë të gjatë,” thuhet në njoftim, duke e cilësuar këtë sukses si rezultat të më shumë se një dekade pune, ndërtimit nga themelet të strukturës kombëtare dhe përkushtimit kolektiv.
Një rol themelor në këtë histori i atribuohet shqiptaro-amerikanit Dino Asanaj, i cili konsiderohet vizionari që e themeloi golfin në Kosovë në kohë kur pak kush besonte në këtë sport. Po ashtu, Federata vlerëson lart kontributin e mërgatës shqiptare, e cila përmes mbështetjes financiare, rrjetëzimit ndërkombëtar dhe përfaqësimit dinjitoz ka qenë forcë shtytëse në çdo fazë të këtij rrugëtimi. “Ky sukses është edhe i tyre — i secilit shqiptar që nga larg ka ndihmuar, ka besuar dhe ka kontribuar,” theksohet në njoftim.
Federata e Golfit e Kosovës ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për mbështetjen institucionale, si dhe për partnerët ndërkombëtarë dhe kontribuuesit vendorë.
“Sot Kosova nuk është vetëm një vend që luan golf. Sot Kosova është një vend që përfaqëson golfin në arenën ndërkombëtare,” thuhet më tej.
Ky hap hap një kapitull të ri për sportin, me synime të qarta drejt pjesëmarrjes në garat botërore, përfshirjes në ciklet olimpike, zhvillimit të talenteve të rinj dhe forcimit të infrastrukturës vendore.