Kosova jashtë agjendës së Ministrave të KiE-së, Musliu Shoshi: Dështim i Qeverisë Kurti

Deputetja e PDK-së Ariana Musliu Shoshi ka fajësuar Qeverinë Kurti pasi që Kosova edhe këtë herë mbeti jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
“Sesioni i 134-të në Luksemburg po mbahet pa përfshirjen e aplikimit të Kosovës në rend dite – një tjetër dështim i MPJD-së dhe i Qeverisë Kurti.
Përderisa shtetet e rajonit avancojnë në proceset euroatlantike, Kosova mbetet peng i paaftësisë institucionale dhe bllokadave të brendshme politike. LVV, me qëndrimin e saj për bllokim të zgjedhjes së institucioneve të reja, po kontribuon drejtpërdrejt në këtë dështim të radhës dhe në stagnimin e vendit.”, ka shkruar Musliu Shoshi në Facebook.
Ajo ka thënë se Kosova ka nevojë për një qeveria të re.
“Ne kemi nevojë për një qeveri të re, me diplomaci aktive, bashkëpunim të brendshëm dhe koordinim serioz me aleatët, jo për improvizime dhe refuzim të përgjegjësive”, ka përfunduar Musliu Shoshi./21Media