Kaloni te përmbajtja kryesore

Kosova ka hyrë në një rrugë të panjohur, pa buxhet për vitin 2026!

Viti 2025 për qytetarët në Kosovë, është vlerësuar si një vit i humbur si në aspektin politik ashtu edhe atë ekonomik. Ndërkohë, shpërndarja e kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pa miratimin e buxhetit për vitin 2026 ka krijuar shqetësim tek qytetarët.

“Nuk ka buxhet se s’ka deputet që punon për popull, veç për veti…”, tha një qytetar

“Nuk ka ma keq, katastrofë, po tash çka po dojnë këta, kon me votu mo, kujt me ja qit votën…”, tha qytetari tjetër.

“Kjo është marri…”, shtoi një qytetar

Qytetarët në Prishtinë të hënën u ballafaquan me mungesë të transportit publik. Shkak për këtë u tha të jetë mungesa e mjeteve financiare për ndërmarrjet e transportit publik. Ndërkohë, Kosova rrezikon të përballet më një bllokadë financiare të gjithmbarshme, pasi që, LVV si fituese e zgjedhjeve në dy raste nuk arriti ta formojë qeverinë. Ndërkohë, Kuvendi pa një qeveri të re nuk pati hapësirë ligjore për miratimin e buxhetit për vitin 2026. Në këtë kuptim, hulumtuesi i IKD-së, Naim Jakaj, thotë se Kosova ka buxhet vetëm deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.

“Kosova ka hyrë në një rrugë të pa provuar më herët, dhe ajo që ka të bëjë me zgjatjet buxhetore do të funksionojnë vetëm për pagat e muajit shkurt…, tha Jakaj për rtv21

Kosova pas zgjedhjeve të 9 shkurtit hyri në një bllokadë politike e cila prodhoi zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndërkohë, mos miratimi i buxhetit për vitin 2026 dhe përsëritja e një krize tjetër të mundshme politike, rrezikon t’i lë gjysmën e qytetarëve në Kosovë pa paga, pensione dhe ndihma sociale. Në këtë situatë, avokati Ardian Bajraktari, thotë se në gjysmë të janarit vendi duhet t’i ketë institucionet e reja.

“Më së largu në gjysmë të janarit të kemi qeveri që do t’i adresonte këto çështje…”, tha Bajraktari.

Si pasojë e bllokadës politike, veç krizës për buxhetin e vitit 2026, Kosova rrezikon të humbë edhe qindra miliona euro nga mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, përfshirë edhe mjetet nga plani i rritjes, ku Kosova do të përfitonte rreth 900 milionë euro./RTV21/21Media

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button