Kosova me rritje ekonomike apo rritje çmimesh?
Ekonomia e vendit ka stagnuar duke humbur investimet, rritjen dhe zhvillimin, si dhe duke u përballur me rritje inflacioni e çmimesh, deklarojnë njohës të fushës. Sipas tyre, pushteti nuk ka marrë asnjë masë për të luftuar inflacionin dhe çmimet e larta.
Edhe pse Qeveria e Kosovës thotë se me uljen e inflacionit, janë ulur edhe çmimet e produkteve bazë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i çmimeve të konsumit sivjet është më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Po ashtu edhe muaji gusht i këtij viti ka shënuar rritje çmimesh me një mesatare prej 0,2%, krahasuar me muajin korrik.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4 % në muajin Gusht 2024 krahasuar me muajin Gusht 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te kafja, çaji dhe kakao prej 8,9%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet prej 6,2%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e ekonomisë shtëpiake prej 5,6%, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat prej 4,9% dhe buka e drithërat me një rritje prej 3,2%”, tka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skender Krasniqi konsideron se këto çmime janë duke vështirësuar jetën e qytetarëve si dhe të bizneseve të cilat vështirë po i mbijetojnë kërkesave të tregut.
“…nuk kemi ndonjë zhvillim të mirë ekonomik në përputhje me nevojat dhe kërkesat e bizneseve…nuk po vërehet ndonjë rënie e cmimeve apo inflacionit, përkundrazi kemi vështirësi si qytetarë e biznese sepse kërkesat e tregut po rriten…”, ka thënë Krasniqi.
Gjatë mandatit të kësaj qeverie rritje kishte vetëm në çmime dhe inflacion, vlerëson ish ministri i Financave, Haki Shatri. Sipas tij në këto katër vitet e fundit vendi është përballur me ngecje ekonomike.
“Nuk shoh që ka pasë zhvillim ekonomik në këto katër vite të fundit që përputhet me këtë mandat qeverisës. Ka pasë ecuri ekonomike që në mënyrë spontane sektori privat është zhvillu aq sa ka mujtë, pa përkrahje e pa kushte të posacme…E vetmja rritje në këtë mandat është inflacioni dhe rritja e cmimeve të tjerat janë në rënie dhe atë në rënie drastike…”, ka thënë Shatri për rtv21.
Profesori i ekonomisë, Medain Hashani deklaron se në qeverisjet e kaluara ka pasur një lloj zhvillimi ekonomik, mirëpo, sipas tij, me qeverinë aktuale, ekonomia ka humbur shumë, e sidomos në investimet e jashtme.
“Për dallim nga vitet e kaluara ku kemi pasur qeverisje tjetër, ne mëherët kemi pasur bile së paku rritje ekonomike, ka pasur investime kapitale, ka pasur investime të tjera në subvencione të ndryshme. Te kjo qeveri nuk kemi as zhvillim ekonomik as rritje ekonomike, edhe pse zhvillimi ka qenë i vogël në qeverisjet e kaluara, por së paku ka pasë, sepse rritja ekonomike tani është zbehur maksimalisht duke na lënë pa investime. Përpos në fund të mandatit janë aktivizu disa kontrata të cilat kanë qenë të nënshkruara nga qeveritë e kaluara…”, tha Hashani.
Njohës të fushës vlerësojnë se ekonomia në vend aktualisht është e brishtë dhe se pushteti nuk ka marrë asnjë masë që ta luftoj inflacionin./RTV21/21Media