Kosova merr pjesë në Festivalin e Filmit Frankofon në Romë me “Luaneshat e Kodrës”

 
Kosova do të marrë pjesë në Festivalin e Filmit Frankofon në Romë.
Këtë vit, Kosova do të përfaqësohet nga filmi “Luaneshat e Kodrës” i regjisores Luana Bajrami, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.
“Të gjithë ju që gjendeni në Romë do të keni mundësi të shihni filmin Kosovar që do të shfaqet gjatë Festivalit të Filmit Frankofon, i cili organizohet nga data 10 – 18 mars 2022”, thuhet në njoftimin nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali.
Filmi do të shfaqet në gjuhën shqipe me titra në gjuhën angleze, më 13 mars në ora 18:30 në Institutin Francez Centre Saint – Louis.
Filmi flet për tri shoqe të pandashme, që janë në pritje të rezultateve për Universitet. Ato, të ulura në një kodër, ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.
Në rolet kryesore luajnë: Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luana Bajrami.
Filmi “Luaneshat e Kodrës” është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz. “Luaneshat e Kodrës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë) dhe Acajou Productions (Francë)./21Media

Back to top button