Kosova merr udhëheqjen e Grupit Drejtues për Zhvillim Rural Rajonal

U mbajt takimi vjetor i ministrave të Bujqësisë

Kosova mori udhëheqjen e Grupit Drejtues të Punës për Zhvillim Rural Rajonal të vendeve të Evropës Juglindore. Kjo u bë e ditur në takimin vjetor të ministrave të Bujqësisë të vendeve të Evropës Juglindore, i cili po mbahet për herë të dytë në Prishtinë, përmes të cilit synohet informimi për të arriturat dhe hartimin e planeve konkrete për zhvillim të kësaj fushe.

Ministrja në detyrë e ministrisë së Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, Dijana Zhviq tha se institucionet e Kosovës do të punojnë që vitin e ardhshëm të forcojnë bashkëpunimin, si dhe në takimin e ardhshëm të grupeve punuese të flitet vetëm për rezultate të mira.

“Vitin tjetër do të punojmë që të forcojmë bashkëpunimin me organizatat dhe me takimet e grupit punues për zhvillim rural, dhe besoj që vitin e ardhshëm do të kemi mundësinë që të flasim për rezultatet e kësaj dhe si rezultat i këtij takimi dëshiroj të vazhdojmë me pjesën punuese dhe të diskutojmë për vendimet dhe reformën e zhvillimit rural”, tha Zhiviq.

Ndërsa, drejtori i Zhvillimit Rural pranë Komisionit Evropian, Mario Milouchev pasi uroi Kosovën për marrjen e udhëheqjes njëvjeçare të këtij grupi punues, tha se përmes këtij grupi mund të diskutohet rreth formulimit të politikave rurale të duhura.

“Është me rëndësi që me të gjitha vendimet dhe zotimin e BE-së për Ballkanin Perëndimor mbetet e pandryshuar. Integrimi në BE i vendeve të Ballkanit mbetet politik strategjike dhe kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe për këtë arsye liderët janë pajtuar që BE do e kthej këtë çështje para Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor që do mbahet në Zagreb në maj të vitit 2020. Cilat pasoja po i sjell kjo periudhë në fakt unë do këshilloja që t’i mobilizoni përpjekjet tuaja edhe më shumë, askush nuk ka thënë se ky proces do jetë i lehtë nëse nuk do ketë kthim apo pritje të pa përmbushura. Ky proces është një rrugëtim që ne udhëtojmë së bashku. Duhet të koncentrojmë energjinë tonë së bashku për t’i tejkaluar pengesat, sugjeroj të mos dorëzohemi”, tha ai.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin ministrat e Bujqësisë të vendeve si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Hungaria, Bullgaria, Turqia, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Gjermania, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, të ambasadave në Prishtinë, të FAO-s, GIZ-it dhe të organizatave të tjera donatore.

Grupi Drejtues i Punës për Zhvillim Rural Rajonal (GDP) është një organizatë ndërqeveritare dhe ndërkombëtare, e cila është e lidhur me institucionet qeveritare për zhvillimin rural në shumë vende të Evropës Juglindore.

Synimi i saj është që të ofrojë bashkëpunim konstruktiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet Ministrive për Bujqësi, në kuadër të përgjegjësive të tyre drejt procesit integrues në Bashkimin Evropian.

Kujtojmë që në vitin 2019 Grupin Drejtues të Punës për Zhvillim Rural Rajonal të vendeve të Evropës Juglindore e ka udhëhequr Maqedonia e Veriut.

Back to top button