Kosova për tre muaj importoi gati 2 miliardë euro!

Ndonëse Agjencia e Statistikave nuk ka paraqitur ende të dhënat e plota të tregtisë së jashtme, Kosova gjatë 2026 për vetëm tre muaj sa figurojnë të dhënat, importoi mallra në vlerë prej mbi 1 miliardë e 700 milion euro, ndërkohë që ka eksportuar pak mbi 240 milion euro. Ndërkohë situatën me importin e lartë, pronari i një fabrike për prodhimin e tjegullave, Nehat Geci, e sheh si alarmante. Geci, vlerëson se institucionet në Kosovë duhej të kishin një plan për ta frenuar importin.
“Armiku numër një në Kosovë importi. Institucionet duhet ta ndalin hovin e imporitit duhet të rregullojnë politika për këtë çështje”, tha Geci.
Telashe me importin në Kosovë vlerësohet që të ketë çdo biznes prodhues në Kosovë. Këto shqetësime u ngritën edhe ditë më parë në një takim të mbajtur mes prodhuesve të qumështit dhe Odës Ekonomike të Kosovës. Qumështarët ngritën alarmin se prodhimet e huaja po hyjnë në Kosovë me çmime shumë më të ulëta duke i bërë prodhimet vendore të pakonkurrueshme.
Në këtë situatë, kryetari i Odës ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna, tha se tashmë edhe zyrtarisht ka kërkuar nga qeveria e Kosovës të bëjë veprime konkrete në mënyrë që të mbrojë produktet vendore.
“Pastaj kemi deklaratat që po ju japin imazh të keq prodhuesve”, tha Rafuna.
Rafuna ndër të tjerash shtjelloi edhe arsyet pse çmimet e produkteve të huaja në jo pak raste janë më të lira se sa produktet vendore.
“Sepse ato marrin subvencion nga qeveritë e shteteve të tyre. Kanë lehtësira të ndryshme dhe në fund mund të dalin në treg më lirë se sa prodhimet tona. Çka ka ba qeveria jonë për prodhuesit vendor”, tha Rafuna.
Kosova me import të lartë u ballafaqua edhe gjatë vitit 2025. Ajo për herë të parë në histori të saj ka importuar produkte në vlerë prej 7 miliardë euro. Ndërkohë, fajtor për situatën e krijuar njohësi i çështjeve të ekonomisë Safet Gërxhaliu i sheh subjektet politike të cilat siç thotë mes përplasjeve të tyre kanë lënë anash nevojat që ka ekonomia e Kosovës.
“Nëse marrim një krahasim një vend si Bosnja ka arritur që të ketë eksport 9 miliardë euro”, ha Gërxhaliu.
Ndërkohë të dhënat e fundit të ASK-së për muajin qershor kanë regjistruar një shkallë të inflacionit prej 6%. Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se një ndër shkaktarët e rritjes së inflacionit, përveç shtrenjtimit të energjisë elektrike është edhe importi i lartë./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?