Kosova përkujton 11 shtatorin

(Lajm i përditësuar)
Kurti bën homazhe në përkujtim e nderim të viktimave të 11 Shtatorit 2001
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e 11 shtatorit të vitit 2021 nga sulmi terrorist i kullave binjake në New York.
Ai tha se sot kujtimi ynë shkon për viktimat, si dhe solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre.
Kryeministri më tej kujtoi se në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.
Ai shtoi se terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan, secilit qytetar liridashës, i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie, që nuk diskriminon asnjeri.
“Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit,” përfundoi kryeministri.
Osmani përkujton 11 shtatorin: Ditë e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 23-vjetorin e sulmit 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, ndaj kullave binjake në New York.
Ajo ka thënë se sulmi i 11 shtatorit ndryshoi rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike.
“Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike. Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3,000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive”, ka shkruar Osmani në Facebook.
“Në këtë ditë gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë”, ka shtuar presidentja./21Media