Kosova pezullon përkohësisht vizat për ukrainasit

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave hyrëse ndaj shtetasve të Ukrainës që do të hyjnë në Kosovë.
Kërkesa e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, vjen si rrjedhojë e situatës së krijuar në Ukrainë, pas agresionit ushtarak dhe vazhdimit të invazionit nga Federata Ruse.
“Bazuar në gjendjen e krijuar, kërkojmë që ta vlerësoni mundësinë që, për arsye humanitare, Qeveria e Republikës së Kosovës ta pezullojë përkohësisht regjimin e vizave për shtetasit e Ukrainës”, është shprehur Gërvalla-Schwarz në mbledhjen e qeverisë.
Shefja e diplomacisë ka thënë se ky vendim do të lehtësoj sadopak gjendjen e qytetarëve të Ukrainës të cilët po detyrohen të largohen nga shteti i tyre.
“Duke iu referuar situatës së krijuar në Ukrainë, pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse, konsiderojmë se pezullimi i regjimit të vizave ndaj shtetasve ukrainasë do të kontribuonte pozitivisht në hyrjen ose kalimin e tyre transit në territorin e Republikës së Kosovës.” ka thënë ministrja.
Ditë më parë me inicimin e MPJD-së, Qeveria ka ndarë mjete financiare edhe për strehimin e 20 gazetarëve ukrainasë.
Gjithashtu Kosova i është bashkëngjitur të gjitha vendimeve sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur Federatës Ruse./21Media

Back to top button