Kosova refuzoi disa donacione të vaksinës AstraZeneca

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se kanë refuzuar disa donacione të vaksinave AstraZenenca nga disa shtete europiane, pasi kishin pak afat përdorimi dhe ekzistonte rreziku që të mund të mos u jepeshin qytetarëve siç ka ndodhur me donacionin e Norvegjisë.
Gjatë konferencës për media, Vitia ka thënë se refuzimi i këtyre vaksinave është bërë me rekomandim të Komitetit të Vaksinimit.
“Janë refuzuar disa donacione, për të vetmen arsye sepse komiteti i vaksinimit është një trup profesionale. Kanë qenë oferta për vaksina Astrazeneca, pas donacionit nga Norvegjia, që kanë pasur një afat skadencë jo optimal që do të na kishte garantuar që t’i administrojmë tek qytetarët tanë. Me rekomendim të Komitetit të Vaksinimit, natyrisht ne i kemi falënderuar dhe i kemi refuzuar për shkaqe të cilat i përmendëm”, ka thënë Vitia.
Ndryshe, ditë më parë janë hequr nga administrimi mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca pas skadimit të afatit, vaksina këto të cilat ishin donacion nga Norvegjia./21Media

Back to top button