Kosova synon anëtarësimin në NATO, Serbia vazhdon të lobojë kundër!

Kosova është futur në agjendën e mbledhjen së Asamblesë Parlamentare të NATO-s e cila nis punimet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë. Në këtë mbledhje pritet që të miratohet kërkesa e Kuvendit të Kosovës për avancimin e statusit nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar. Ndërkohë, Serbia ka nisur fushatë kundërlobuese duke iu drejtuar anëtarëve të kësaj asambleje me një letër për të mos e pranuar Kosovën. Qeveria kërkon reagimin e BE-së për këtë fushatë të Serbisë.

Këtë të premte Kosova do ta ketë sfidën e radhës sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Asambleja Parlamentare e NATO-s ka futur në agjendën e takimit çështjen e aplikimit të Kosovës për të qenë anëtare e asocuar e Asamblesë. Kjo ngjalli reagime të menjëhershme të Serbisë. Instituti Ndërkombëtar për Siguri me qendër në Beograd përmes një letre i ka bërë thirrje Asamblesë Parlamentare të NATO-s që të mos e miratojë statusin e Kosovës si një anëtare e asocuar e organizatës. Në përmbajtjen e letrës thuhet se dhënia e statusit të një anëtari të asociuar për Kosovën do të ishte i dëmshëm për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Pavarësisht nga fushata agresive e Serbisë, pushteti në Kosovë shprehet optimist se anëtarët e Asamblesë Parlamentare të NATO-së do të votojnë në favor të Kosovës. Shefja e grupit parlamentar të Lëvijzes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet. Kërkoi nga BE-ja reagim ndaj Serbisë.

“Fushata e Serbisë nuk asgjë ndryshe përveç asaj që po e shkel marrëveshjen në mënyrë flagrante. Urojmë që mos të ndodh sikurse me Këshillin e Evropës. Urojmë që të votohet pro Kosovës sepse janë plotësuar të gjitha kushtet”, tha Kusari-Lila.

Opozita ka qëndrim kritik ndaj Qeverisë për pengesat që po ia bënë Kosovës në rrugën integruese. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se përçarja e Qeverisë me aleatët po i jep mundësi Serbisë të lobojë kundër Kosovës.

“Serbia është e inkurajuar prej gabimeve të Kurtit. Ajo shkon edhe një hap më tutje duke i shkaktuar minuse Kosovës. Duke i dërguar një letër NATO-së krijojnë narrativë gjëja se Kosova punon kundër minoritetit serb”, tha Haradinaj..

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane nga radhët PDK-së, Blerta Deliu, mendon se pas dështimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës është thelbësore që Qeveria të ketë koordinim me aleatët për avancimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

“Kosova ka nevojë për miq dhe ka nevojë për përafrim të qëndrimeve në raportet e saj ndërkombëtare sidomos për shkak të invazionit të jashtëzakonshëm që ka Serbia”, tha Deliu.

Anëtari i Institutit “Musine Kokalari” Belgzim Bajrami vlerëson se çdo ngecje në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ketë ndikim për përafrimin e Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosova për anëtarësim në NATO.

Për shumë vjet Kosova ka pasur statusin e anëtarit vëzhgues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe avancimi i statusit është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancën Veriatlantike./RTV21/21Media

Back to top button