Kosova të jetë qendër rajonale për zhvillimin e ekonomisë digjitale

Besim Beqaj po prezanton Kosovën në Forumin Ekonomik në Dubai

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj po prezanton Kosovën në Forumin Ekonomik, i cili po mbahet në Dubai, bën të ditur Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrsisë në një komunikate për media.

Beqaj para Ministrit të Ekonomisë së Dubait Sultan Bin Saed Al Mansouri dhe pjesëmarrësve tjerë foli për mundësitë që Kosova jep për zhvillimin ekonomik për Rajonin dhe më gjerë.

“Vizioni im është ‘Kosova të jetë një qendër rajonale për zhvillimin e ekonomisë digjitale’”, deklaroi  Beqaj.

Ai para homologëve arabë, perëmendi arsyet pse duhet të investohet në Kosovë. “Vend-ndodhja Strategjike, Infrastruktura, Popullsia, Kosto të ulëta operacionale, Legjislacioni dhe Marrëveshjet, Ambienti i Biznesit në Kosovë, Stabiliteti ekonomik (PBB), Qeveria ka ndarë një sasi të konsiderueshme të investimeve direkte në sektorin privat për të stimuluar inovacionin brenda ndërmarrjeve dhe për të rritur potencialin e eksportit dhe Stabiliteti ekonomik”, tha kreu i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Duke përshkruar Kosovën, si një vend me mundësi të jashtëzakonshme, Ministri Beqaj ftoi investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ta konsiderojnë Kosovën seriozisht si një mundësi për investime.

Ndër të tjera, i pari i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë para të pranishmëve prezantoi vendin tonë, si të veçantë në zhvillimin ekonomik, marrë parasysh se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë me 70 për qind të popullsisë që është nën moshën 35 vjeçare.

Projekti konkret, që Beqaj prezantoi para përfaqësuesve të Emirateve të Bashkuara ishte Parku Trajnues gjermano-kosovar në Prizren, si një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, në shumë fusha.

Duke përmendur agjendën digjitale të Komisionit Evropian për Kosovën, Beqaj tha se konsideron që Republika e Kosovës është një treg tërheqës për kompanitë prodhuese dhe TIK-të.

Me këtë rast, ai përmendi eksportin që Kosova ka bërë gjatë vitit 2018 me shërbimeve digjitale, si një e arritur e madhe.

Po ashtu, Ministri përmendi hapat konkret që Kosova po bën për ta zhvilluar sektorin e inovacionit dhe teknologjisë, siç janë: Infrastruktura ligjore; Infrastruktura fizike; Infrastruktura financiare dhe  Paketa fiskale.

Ndryshe, Forumi Ekonomik që po mbahet në Dubai është forum në mes të Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Back to top button