Kosova U21 e gatshme për fitore kundër Bullgarisë

Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U21 e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, para ndeshjes me Bullgarinë.

“Dardanët” e rinj zhvilluan stërvitje në aspektin taktik dhe motivues, ndërsa pavarësisht mungesave, Kosova luan për fitore kundër Bullgarisë.

Trajneri i Kosovës U21, Afrim Tovërlani tha se e ka analizuar kundërshtarin, dhe se e di se cilat janë pikat kryesore të Bullgarisë.

“Kundërshtarin e njohim sepse ndeshjen e fundit e kemi zhvilluar ndaj tyre në Bullgari. E dimë cilat janë pikat kryesore në dy repartet, sulm dhe mbrojtje, futbollisti kryesor i tyre është Nikollov i cili luan si sulmues dhe njëherësh është futbollisti më i rrezikshëm, çka do të thotë se ne duhet të kemi më shumë kujdes ndaj tij. Gjithmonë hyjmë për fitore, unë asnjëherë nuk flas për rezultate prandaj më mirë do ta presim fundin e ndeshjes”, tha Tovërlani.

Ndeshja Kosovë U21- Bullgari U21 zhvillohet të premten në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në orën 13:00.

Back to top button