Kovaçevski-Vuçiq: Miqësia dhe partneriteti mes Maqedonisë sẽ Veriut dhe Serbisë po thellohet

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot ndodhet për vizitë zyrtare në Serbi.

Në takimin me presidentin Aleksandër Vuçiq u konfirmua partneriteti dhe miqësia shumëvjeçare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, “e cila reflektohet në mbështetjen e vazhdueshme reciproke për çështjet dhe sfidat kyçe që prekin të dyja vendet”.

“Marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve karakterizohen nga dialogu dinamik i nivelit të lartë politik, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtia”.

Në takim u diskutua për iniciativat rajonale, të cilat janë mundësi për perspektiva dhe avancim edhe më të madh të bashkëpunimit të ndërsjellë. Qëllimi i Ballkanit të Hapur dhe Procesit të Berlinit është zhvillimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë ne tregun e vetëm evropian dhe në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Kovaçevski dhe presidenti Vuçiq shkëmbyen mendime për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për dinamikën e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në këtë drejtim u theksuan proceset reformuese në disa fusha kyçe, ngritja e kapaciteteve institucionale si dhe strategjitë zhvillimore të zbatuara nga qeveritë e të dy vendeve.

Në takim u shkëmbyen informacione edhe për veprimet e dy vendeve në kuadër të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të situatës ekonomike, demokratike dhe të sigurisë në rajon dhe Evropë.

Në takim morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministri i shoqërisë informatike dhe administratës publike Aleksandar Bajdevski./TV21

Back to top button