KPK: Të shqetësuar me shkarkimin e Agron Bekës nga Kuvendi i Kosovës

Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi z.Jetish Maloku, ka mbajtur Takimin e 239-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Fillimisht, anëtarët e KPK-së, kanë shprehur shqetësim e tyre për shkarkimin nga Kuvendi i Kosovës të anëtarit joprokuror të KPK-së, z.Agron Beka, ku KPK-ja ka informuar opinionin publik përmes një komunikate të premten e kaluar se Kuvendi ka bërë shkelje ligjore, duke theksuar se institucioni i vetëm kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi, për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale të anëtarëve është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij.

Në takimin e sotëm, KPK-ja themeloi Panelin Hetimor për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe miratoi Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Funksionimin e Prokurorit të Shtetit të Kosovës, (do të hyjë në fuqi më 1 prill 2024) dhe Rregulloren për Qasje në Dokumente Publike të Sistemit Prokurorial.

Gjithashtu, anëtarët e Këshillit miratuan edhe: Programin e Punës së Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për vitin 2024 dhe Dokumentin e Politikave të Trajnimit dhe Planin e Nevojave për Trajnimin e Prokurorëve të Shtetit dhe Stafit Administrativ për vitin 2024, i cili do t’i dërgohet Akademisë së Drejtësisë, si dhe Raportin për periudhën janar-qershor 2023 për zbatimin e Planit të Veprimit të Planit Strategjik të Sistemit Prokurorial 2022-2024.

Rrjedhimisht, në rendin e ngjeshur të ditës së sotme që kishte, KPK-ja aprovoi gjithashtu dy raporte të Komisionit për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve dhe avancoi z.Arben Hoti dhe znj.Fatmire Cacaj në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe znj.Zana Sadiku-Sertolli dhe znj.Mimoza Shala në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Këshilli në vijim mori vendim për hapjen e shpalljes së brendshme për avancimin e një prokurori në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe për avancimin e një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, si dhe mori vendim për hapjen e shpalljes së brendshme për plotësimin me nëntë pozita prokurorësh në PSRK, shpallje këto, të cilat do të publikohen më 27 dhjetor 2023, si dhe për lirimin nga detyra të prokurorit Muharrem Bajraktari për shkak të ofrimit të dorëheqjes së tij nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe do ta dërgoj propozimin tek Presidentja e vendit për ta liruar nga detyra.

KPK-ja ka shtyrë për takimin e radhës shqyrtimin e Analizës së Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë dhe shpalljen e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj të Shtetit, për shkak të mungesës së anëtarit joprokuror të Këshillit-shkarkimit nga Kuvendi i Kosovës me çka nga ky shkarkim ka shkaktuar pengesa të mëdha në sistemin prokurorial të Kosovës.

Në përfundim të takimit, anëtarët e KPK-së trajtuan Raportin për vlerësimin e performancës së 12 prokurorëve me mandat të përhershëm dhe kundërshtimet e paraqitura dhe mbajti një seancë dëgjimore disiplinore për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Back to top button