Kaloni te përmbajtja kryesore

KQZ-ja vazhdon të mbështetet te Britania për platformën e rezultateve zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) do të vazhdojë të mbështetet tek Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për mirëmbajtjen dhe sigurinë e platformës online për publikimin e rezultateve zgjedhore, e cila do të përdoret edhe për zgjedhjet e 7 qershorit.

Platforma, përmes së cilës publiku do të mund të përcjellë në kohë reale rezultatet preliminare pas mbylljes së procesit të votimit dhe nisjes së numërimit të votave, u zhvillua vitin e kaluar me mbështetje britanike dhe do të përdoret sërish në këtë proces zgjedhor.

Komisioni kishte hasur në telashe të mëdha me platformën në të kaluarën, si për shembull në zgjedhjet e shkurtit 2025, kur serveri dhe ueb-faqja zyrtare binin vazhdimisht në ditën e zgjedhjeve.

Ambasada britanike në Prishtinë thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se – derisa vitin e kaluar ndihmoi në zhvillimin e softuerit të ri për tabelimin dhe publikimin e votave – në zgjedhjet e kësaj të diele do ta mbështesë komisionin në përdorimin e tij.

Ajo shton se kjo po bëhet përmes një projekti të financuar nga Qeveria britanike, derisa softueri është zhvilluar nga një kompani ndërkombëtare me seli në Angli, në bashkëpunim me një kompani lokale të Teknologjisë Informative në Kosovë.

“Kjo organizatë (BAE Systems Digital Intelligence) ka kryer gjithashtu testime të infrastrukturës IT të sistemeve me qasje të jashtme dhe do të ofrojë monitorim të avancuar gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me qëllim mbrojtjen nga sulmet kibernetike që ndodhin gjatë zgjedhjeve”, thekson Ambasada britanike.

Kastriot Fetahaj, inxhinier i sigurisë kibernetike, thotë se KQZ-ja duhet të investojë që të mos ketë probleme me platformën, qoftë me numërimin e votave, qoftë në publikimin e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që sistemi të jetë i qasshëm pikërisht në kohën e publikimit të rezultateve. Platforma duhet të përballojë një numër të madh vizitash njëkohësisht dhe të bllokojë sulmet eventuale”, thotë ai.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tha se platforma e rezultateve është pronë e komisionit zgjedhor dhe “paraqet një komponent të rëndësishëm të infrastrukturës sonë zgjedhore”.

Sipas tij, tani Qeveria britanike është duke e mbështetur KQZ-në aspektin e mirëmbajtjes dhe avancimit të funksionaliteteve të platformës.

Mbështetja britanike ka ndikuar në rritjen e transparencës, besueshmërisë dhe sigurisë së procesit zgjedhor, sipas Elezit, i cili iu referua raportit të KQZ-së të vitit të shkuar, që u dërgua në Kuvendin e Kosovës.

As Ambasada britanike e as KQZ-ja nuk treguan se cila është vlera financiare e realizimit të këtij projekti, duke thënë se ai nuk ka “kosto specifike për KQZ-në”.

Ndërkohë, sipas Elezit, platforma online e KQZ-së do të publikohet gjatë fundjavës.

“Në platformën e KQZ-së do të publikohen të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në votime nga 911 Qendra të Votimit me gjithsej 2,498 vendvotime në të cilat zhvillohet votimi i rregullt si dhe rezultatet preliminare të subjekteve politike, pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime”, deklaroi Elezi.

KQZ-ja thotë se synon të vazhdojë me zhvillimin dhe përmirësimin e platformës, me qëllim rritjen e transparencës, efikasitetit dhe qasjes së publikut në rezultatet zgjedhore.

Ndërkohë, Ambasada britanike shton se po shqyrtohen aktivitete të ardhshme në fushën e sigurisë kibernetike në Kosovë, përfshirë këtu edhe ato në mbështetje të “qëndrueshmërisë dhe rezistencës afatgjatë institucionale”.

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button