KQZ reagon pas raportimeve për përfshirje të Berishaj në transportin e votave

Pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga posta dhe i ka dërguar në ambasadë, është deklaruar KQZ-ja.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për mediat se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove është bërë sipas akteve nënligjore dhe se KQZ do të merr vendim meritor.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor”, ka thënë Elezi.
Në anën tjetër Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.