KQZ: Rinumërimi i votave mund të zgjasë deri në 14 ditë

(Lajm i përditësuar)
KQZ: Rinumërimi i votave mund të zgjasë deri në 14 ditë
Ekipet e numërimit të votave do t’u duhet t’i rinumërojnë edhe 1 mijë e 947 vendvotime gjatë ditëve në vazhdim, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ky proces pritet të përfundojë për 14 ditë.
Pas vendimit për rinumërim total, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar se cila është gjendja aktuale e vendvotimeve të rinumëruara deri më tani dhe ato që do të përfshihen në rinumërim pas vendimit të fundt të KQZ-së.
Duke u mbështetur në dy vendimet e KQZ-së (13 dhe 19 janar 2026) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve rinumërimi do të përfshijë të gjitha vendvotimet, 2,557 sosh, në të cilat më 28 dhjetor 2025 është zhvilluar votimi i rregullt. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e hënë, 19 janar 2026, ora 16:00) në QNR janë rinumëruar 610 vendvotime. Pra, gjatë ditëve në vazhdim, në përgjithësi do të rinumërohen 1,947 vendvotime. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është shtuar numri i ekipeve të numërimit. Aktualisht, janë 38 ekipe të tilla vetëm gjatë një ndërrimi pune, pra 76 gjithsej. I gjithë procesi i rinumërimit të 1,947 vendvotimeve / kutive të votimit, mund të zgjasë nga 12 – 14 ditë”, tha Elezi për portalin rtv21.tv
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)ka vendosur që të rinumërohen të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit në 28 komuna.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi i rinumërimit të votave ka nxjerrë në pah pasaktësi të theksuara në numërimin e votave të kandidatëve, ndërsa votat e subjekteve politike rezultojnë kryesisht të sakta.
“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi”, ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
KQZ drejt rinumërimit të plotë në gjithë Kosovën
Këshilli për operacione zgjedhore në një mbledhje të mbyllur të anëtarëve të partive politike që përfaqësohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka propozuar që procesi zgjedhor të shkojë drejt një rinumërimi të plotë të votave, pas parregullsive dhe mospërputhjeve të evidentuara gjatë rinumërimit të deritashëm në disa vendvotime.