KQZ s’ka “pare” për zgjedhje të jashtëzakonshme

Dështimi për formimin e qeverisë ka shtuar zërat dhe mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare madje jo për një por për dy palë zgjedhje. Por sa janë të gatshëm qytetarët për dalë në një proces të ri zgjedhor?”

“Normalisht do të dalim dhe do të dimë si do të votojmë..”, tha një qytetar.

“Jo s’do të dalë sërish në zgjedhje na kanë ardhur të hunda, kushtojnë miliona euro.”, u shpreh një tjetër.

Diskutimet rreth shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme vijnë në një kohë kur ende nuk ka përfunduar procesi zgjedhor për kryetarë komunash.

Në Komisionin Qendror të zgjedhjeve e shohin si sfidues edhe një proces të ri zgjedhor në dhjetor teksa bëjnë të ditur se nuk kanë buxhet të planifikuar për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Sa i përket debateve për zgjedhje te jashtëzakonshme KQZ -ja ashtu siç ka thënë do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore në momentin kur zgjedhjet shpallen zyrtarisht. Natyrisht që një proces i ri zgjedhor është sfidues për KQZ sepse aktualisht jemi në proces të përmbylljes së zgjedhjeve lokale. Për një proces të ri zgjedhor parlamentar KQZ-ja s’ka buxhet të planifikuar sepse këto do të ishin zgjedhje të paplanifikuara. Në raste të tilla KQZ-ja përgatitë planifikimin buxhetor dhe kërkesën e dërgon për miratim në Qeveri”, tha Elezi për rtv21

Një ditë më parë, pas dështimit për formimin e qeverisë të dielën kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti paralajmëroi dy palë zgjedhje të jashtëzakonshme deri në pranverë. Përveç zgjedhjeve të reja që parashikohen të mbahen në dhjetor, Kurti ka thënë se zgjedhje do të ketë edhe në fillim të vitit të ardhshëm, pasi sipas tij, me legjislaturën që do të dalë nga zgjedhjet e dhjetorit do të dështohet që të zgjidhet presidenti i ri. Ish-diplomati Avni Arifi, vlerëson se thelbi i problemit nuk është posti i presidentit por dëshira e Kurtit për të vazhduar bllokadën. Sipas tij, zgjedhjet e jashtëzakonshme e dëmtojnë Kosovën.

“Nuk është thelbi i problemit është mundësia e tij për me e blloku Kosovën. Ne si duket do të shkojmë në zgjedhje në dhjetor dhe Kurti nuk shkon me fitu me kriju koalicion por synon me ushqye armiqësinë dhe me blloku Kosovën”.”, tha Arifi

Pas dështimit të Kurtit për formimin e Qeverisë edhe partitë e tjera e kanë përmendur mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare./RTV21/21Media

Back to top button