KQZ: Synojmë të shpallim rezultatet përfundimtare në kohë sa më të shpejtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku po synojnë të shpallin në kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me aktivitetet të cilat kanë për qëllim të shpallin në një kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor”, tha zëdhënësi i KQZ-së.
Elezi në konferencën për media ka thënë se procesi i numërimit për kandidatë për deputetë është duke vazhduar në komunat: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj.
Kurse sa i përket numrit të shtetasve të regjistruar për votim me postë, sipas Elezit ka qenë rreth 58 mijë.
“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, u shpreh ai.