KQZ tregon numrin e subjekteve politike që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhje

Deri në orën 14:00, 12 parti politike kanë plotësuar formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, duke treguar se cilat parti kanë deklaruar pjesëmarrjen e tyre në garën për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
“Deri më tani (e diel, 30 nëntor 2025, ora 14:00) 12 parti politike kanë plotësuar formularin e certikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili është i ngjashëm me formularin e proceseve të kaluara zgjedhore. Këto parti politike janë: Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK; Partia Demokratike e Kosovës – PDK; Kosovaki Nevi Romani Partia; Jedinstvena Goranska Partija; Za Slobodu Pravdu i Opstanak; Kosova Demokratik Türk Partisi; Partia Liberale Egjiptiane; Partia Rome e Bashkuar e Kosovës; Socialdemokratska Unija – SDU; Srpska Lista; Iniciativa e re Demokratike e Kosovës; dhe Fjala”, tha Elezi.
Deri më tani në KQZ janë regjistruar vetëm dy koalicione parazgjedhore, ai i tri partive të ashkalinjëve PAI, PDAK e LPB, si dhe koalicioni i partive boshnjake, Vakat.
Gjithashtu, më 30 nëntor përfundon afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.
Elezi ka rikujtuar se afati për dorëzimin e listës së kandidatëve të subjekteve politike i nisur më 24 nëntor do të zgjasë deri më 7 dhjetor.
“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) që aplikojnë për certifikim, duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së për rtv21.tv/21Media