Krasniqi e Haradinaj shkojnë për kryeshëndoshë te Abbott

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka hapur “Librin e Ngushëllimeve” për Mbretëreshën Elizabeth II.
Aty sot ka nënshkruar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj.
“Sot isha në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, për t’u shprehur ngushëllime Ambasadorit Nicholas Abbott dhe bashkëpunëtorëve të tij, për vdekjen e Lartmadhërise së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II. Me këtë rast, nënshkrova edhe librin e zisë, në kujtim dhe nderim të jetës së Mbretëreshës Elizabeth II, udhëheqja, vizioni, përkushtimi dhe mirësia e së cilës kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e botës. Ngushëllimet më të thella, nga unë dhe gjithë Partia Demokratike e Kosovës, për Qeverinë dhe të gjithë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë Krasniqi në “Facebook”, ku edhe ka publikuar disa foto.

Për kryeshëndoshë shkoi edhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Nderim për Lartmadhërinë e Saj, Mbretëreshën Elizabeth II. Mirënjohës përjetë për solidaritetin e popullit britanik ndaj Kosovës. Falënderim Ambasadorit Nicholas Abbott për kujdesin. Jetë të gjatë, Mbretit Charles III”, ka thënë Haradinaj.

Monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, Mbretëresha Elizabeth II ka vdekur më 8 shtator në Balmoral në moshën 96-vjeçare./21Media
 
 

Back to top button