Krasniqi-Haradinajt: Më mirë shkuarje në zgjedhje sesa heqja e taksës

Pas deklaratës së presidentit reagon Krasniqi

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit lidhur me taksën 100% ndaj mallrave serbe.

Gjatë ditës së djeshme, Thaçi u shpreh se tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane.

“Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit. Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës”, ka shkruar Thaçi dje në “Facebook”.

E ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Jakup Krasniqi.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Krasniqi thekson se shqiptarët kurrë nuk kanë cenuar interesa të miqve e as të armiqve.

Krasniqi pyet se kujt po ia bëjnë argatin politikanët e Kosovës që po deklarohen rreth (heqjes së) taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

“Ajo që lehtë është e vërejtëshme është fakti se ata nuk janë as të angazhuar e as të interesuar që t’i mbrojnë interesat e vendit të tyre për çka edhe janë të thirrur”, shkruan Jakup Krasniqi.

Në këtë situatë të krijuar, sipas Krasniqit, për kryeministrin e Kosovës çdo variant i shkuarjes në zgjedhje është më i mirë sesa heqja eventuale e taksës ndaj Serbisë.

Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete./21Media

Back to top button