Krasniqi i kërkoi Kurtit koordinim me partnerët ndërkombëtarë për menaxhimin e situatës në Veri

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit të sotëm që ai dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë pasur me kryeministrin Albin Kurti, ka deklaruar se janë informuar për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa.
I pari i PDK-së ka potencuar se ka kërkuar nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.
“Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve.”, ka shkruar Krasniqi në facebook.
Ndërsa, nga zyra e Kryeministrit është theksuar se në takimin e Kurtit me liderët opozitarë është biseduar për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe është theksuar përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend./21Media

Back to top button