Krasniqi i shkruan letër Kurtit: Reagim urgjent dhe front i përbashkët kundër pandemisë

 
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka shkruar letër kryeministrit Albin Kurti, ku ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën me COVID-19 në vendin tonë.
“I brengosur me gjendjen tejet të rëndë të pandemisë, kur vendi ynë po përjeton një tragjedi, sot i kam dërguar një letër Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, për të shprehur shqetësimin tim për mungesën e një menaxhimi efikas, e për të kërkuar një reagim urgjent dhe një angazhim maksimal të institucioneve shtetërore”, ka thënë Krasniqi.
Tutje Krasniqi ka thënë se PDK e konsideron të domosdoshme ndërprerjen e pushimeve dhe kthimin e menjëhershëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
“Duke parë që nuk janë bërë planifikimet e duhura gjatë rishikimit të Ligjit për Buxhetin për ta trajtuar pandeminë, PDK e konsideron të domosdoshëm ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të domosdoshme ndërprerjen e pushimeve dhe kthimin e menjëhershëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe është e gatshme që të përshpejtojë marrjen e vendimeve për tejkalimin e kësaj tragjedie. Për këtë, do të bisedoj edhe me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku dhe Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj”, ka shkruar Krasniqi.
I pari i PDK-së theksoi se duhet një front i përbashkët dhe jo një luftë e brendshme. “Na duhet një front i përbashkët, e jo një luftë e brendshme politike, për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve”./21Media

Back to top button