Krasniqi i tronditur nga aksidenti tragjik në Bullgari

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi shprehu ngushëllime për familjet e viktimave që vdiqën në aksidentin tragjik në Bullgari.
Ai tutje shtoi se në këtë ditë të rëndë, mendjet dhe zemrat tona janë me të gjithë të prekurit e kësaj tragjedie.
“I tronditur e i prekur thellësisht nga tragjedia në Bullgari, që mori jetën e 46 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, bashkëkombësve tanë shqiptarë dhe familjeve të të gjitha viktimave ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, për shuarjen e më të dashurve të tyre. Përballë kësaj ngjarjeje kaq tragjike, lutemi për shërim të shpejtë të të mbijetuarve dhe për durim e forcë për familjarët e viktimave. Në këtë ditë të rëndë, mendjet dhe zemrat tona janë me të gjithë të prekurit e kësaj tragjedie”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Të paktën 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë më 23 nëntor. 12 fëmijë kanë qenë në mesin e viktimave dhe shtatë të mbijetuar kanë pasur nevojë për trajtim në spitalin e kryeqytetit Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin privat, BTV.
Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona.
Shkaku i përplasjes është duke u hetuar. Në raportimet lokale është thënë se autobusi mund të ketë goditur një parmak.
Bullgaria është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.
Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.
Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.
Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë./21Media
Back to top button