Krasniqi: Mungesa e transparencës e Kurtit e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar pas takimeve me zëvendës ndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bashkë me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, si dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këto takime, Krasniqi ka thënë se është diskutuar për zhvillimet rreth procesit të Dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në këto takime kam shprehë qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit tonë, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.Po ashtu, kam shprehur bindjen tonë se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë, kërkohet angazhimi i të gjitha palëve. Koordinimi i vazhdueshëm i Kosovës me partnerët ndërkombëtar është i domosdoshëm”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka theksuar se në procesin e dialogut, si subjekt, i kanë dhënë hapësirën e nevojshme kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat e tyre në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sepse, siç është shprehur ai dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kanë parë si betejë të brendshme politike.
Sipas tij, mungesa e transparencës e Albin Kurtit është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës.
“Por, mungesa e transparencës nga ana e Kryeministrit është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të plotë që të dijnë se cilat janë pozicionet e Qeverisë për të gjitha çështjet që po diskutohen në kuadër të Dialogut. Ne besojmë se prioritet duhet të ketë angazhimi për arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Degradimi i Dialogut në nivel teknik nuk i ndihmon arritjes së këtyre objektivave shtetërore”, ka thënë Krasniqi.
“PDK do të jetë gjithmonë e angazhuar në mbrojtje të interesave të Kosovës, sovranitetit të vendit tonë dhe të zbatimit te kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit”, ka thënë tutje ai./21Media