Krasniqi ndan një video të Thaçit në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së parë të policisë

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransiqi me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Policisë së Ksovës ka ndarë një video të ish kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me rastin e ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së parë të Shërbimit Policor të Kosovës, i cili pas pavarësisë u shndërua në Polici e Kosovës.
“Në qershor të vitit 1999, Hashim Thaçi me shokët e tij u kthye fitimtar nga frontet e luftës për çlirimin e Kosovës. I vetëdijshëm se pas lirisë, rruga për ngritjen e shtetit sapo kishte filluar, me 6 shtator të po atij viti, Hashim Thaçi, si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës, që pas pavarësisë së vendit u shndërrua në Polici të Kosovës.
Që nga ajo ditë, me dhjetëramijëra qytetarë të Kosovës kanë shërbyer në uniformën e vendit të tyre, duke garantuar sigurinë, paqen dhe stabilitetin në vend.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai u ka shprehur mirënjohje të thellë grave dhe burrave që ndër vite kanë shërbyer “me nder, përgjegjësi dhe krenari.”
“Kosova, si një histori e bukur suksesi, përveç lidershipit të saj të duhur politik në momentet më të rëndësishme, është meritë edhe e policisë së mrekullueshme të vendit tonë.
Urime të gjithë policëve tanë. Jemi me ju dhe krah jush në çdo hap! “, ka përfunduar Krasniqi./21Media