Krasniqi: Nuk mund ta votojmë një raport që është antikushtetues

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nuk mund ta votojë një raport i cili është në kundërshtim me kushtetutën.

“Kushtetuta e thotë qartë se nuk mund të bëhesh deputet nëse je kryeministër apo ministër”, tha Krasniqi, duke shtuar se deputetët e zgjedhur të LVV-së – që aktualisht janë pjesë e Qeverisë në detyrë – duhet të japin dorëheqje sepse s’mund të mbajnë të dy postet.

“Kjo mund të zgjidhej lehtë nëse ata japin dorëheqje”, tha Krasniqi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Deputetët e LVV-së dhe të Nismës Socialdemokrate kanë votuar për raportin. Kundër ishin ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“Pesëdhjetë e dy deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon”, tha kryesuesi i seancës.

Back to top button