Krasniqi për avokatin e Kadri Veselit: Andrew e dinte pafajësinë e krerëve të UÇK-së

“Liria ka Emër”, në nderim të mikut të Kosovës, avokatit të Kadri Veselit, Andrew Strong, ka organizuar sonte ndezjen e qirinjve para Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se përtej rolit të tij si avokat, Andrew Strong ishte një njeri i mirë dhe i drejtë, i cili me tërë qenien e tij u vu në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetit tonë.

“Këtë ai nuk e bëri vetëm pse e kishte profesion, por sepse drejtësinë e kishte mision. Andrew e dinte pafajësinë e krerëve të UÇK-së, siç e dinte pastërtinë e luftës së popullit tonë për liri, prandaj, me mendje e zemër u përkushtua secilën ditë të angazhimit të tij në këtë proces. Një amerikan që fliste shqip, e Kosovën e donte shumë. Prehu në paqe, mik i dashur”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Andrew Strong, avokati amerikan, i cili ishte pjesë e ekipit të mbrojtjes së ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt në Hagë, së fundmi ishte edhe avokat i ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, i cili gjendet në paraburgim nga Gjykata Speciale.

Ai ndërroi jetë të hënën pasdite. Gjatë karrierës së tij, Strong kishte vizituar disa herë Kosovën.

Back to top button