Krasniqi: Prokuroria nuk ka ndikuar në imazhin e Kurtit, ftesa është në përputhje me rregullat e saj

(Lajm i përditësuar)
Krasniqi: Prokuroria nuk ka ndikuar në imazhin e Kurtit, ftesa është në përputhje me rregullat e saj
Kolë Krasniqi në ”Click” të RTV21 tha se Prokuroria e Kosovës nuk ka pasur asnjë ndikim në prishjen ose përmirësimin e imazhit të Kryeministrit Albin Kurti.
Ai shtoi se Prokuroria ka rregullat dhe afatet e saj dhe se ka ardhur në përfundim se për të përmbyllur rastin e rezervave shtetërore, kërkohet një deklaratë nga Kryeministri Kurti.
”Prokuroria jonë në këtë situatë nuk ka ndikuar në asnjë rast që ta prish imazhin e tij, ose të ndikojë në rritjen e imazhit të tij. Prokuroria i ka rregullat e veta ka afatet e caktuara të veta, dhe ka ardhë në përfundim se në përmbyllje të atij rasti duhet një deklaratë e Kurtit”, tha ndër tjera Krasniqi.
Krasniqi: Kurti ftohet si dëshmitar, mund të ndëshkohet
Kolë Krasniqi në ”Click” të RTV21 ka komentuar vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ka dërguar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për të urdhëruar paraqitjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit si dëshmitarë për rastin e rezervave shtetërore.
Sipas tij, çdo person duhet ta respekojë ligjin dhe se Prokuroria kryeministrin, e ka ”ftuar si Albin Kurti, jo si kryeministër”.
Krasniqi: Nëse ka tërheqje masive të ushtrisë amerikane, sigurinë duhet ta marrë përsipër BE
Eksperti i anti-terrorizmit Kolë Krasniqi në ”Click” të RTV21 theksoi se nuk do të ketë një largim të plotë të ushtrisë amerikane, por do të ketë një reduktim të mundshëm të pranisë së saj.
Sipas tij, nuk ka ende asnjë sinjal që sugjeron tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Kosova
Ai lidhur me këtë tha se ”Nuk ka asnjë sinjal të plotë për tërheqjen eventuale të ushtrisë amerikane, nga Kosova”.
Krasniqi tutje theksoi se, nëse një situatë e tillë ndodh, sigurinë në vend do të duhej ta merrte përsipër Bashkimi Evropian.
”Reduktimi mund të shkojë në mënyrë simbolike”, tha ai ndër tjera./21Media