Krasniqi: Sakrifica e Afrim Bunjakut është testament i guximit për Kosovën

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në dy vjetorin e rënies së rreshterit Afrim Bunjaku, tha se ai mbetet testament i mbrojtjes së Kosovës.
“Dy vite më parë, në Banjskë, ra heroikisht në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë nga terroristët serbë. Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij sakrifica e Bunjakut është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut.
“Por, dy vite pas këtij akti terrorist, drejtësia ende nuk është vendosur. Kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës.
Lavdi e përjetshme Heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë të rënëve për Kosovën!”, shkroi Krasniqi./21Media