Krasniqi: Serbia po kërcënon paqen në rajon, Qeveria të bëjë gjithçka për lirimin e policëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe.

Krasniqi ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë dhe denoncon ashpër rrëmbimin e sotëm të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.

Tutje, Krasniqi ka thënë se kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. “Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon”.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershem të policëve të rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë“, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë se Qeveria duhet që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të Kosovës./21Media
Back to top button