Krasniqi takon zyrtarin e lartë të DASH-it: SHBA-të mbeten aleati ynë më i fuqishëm

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka takuar sot Brendan Hanrahan, zyrtar i Lartë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit, me të cilin thotë se ka biseduar për zhvillimet politike në vend dhe rajon.
Krasniqi thotë se biseduan gjithashtu për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Sot, pata kënaqësinë të takohem me Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit. Diskutova për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon. Ritheksova përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim politik, funksionalitet institucional dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve. Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë. Theksova rëndësinë e mbështetjes amerikane për aspiratat tona euroatlantike dhe përpjekjet për integrim ndërkombëtar. Biseduam gjithashtu për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara mbeten aleati ynë më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm. Kosova është, dhe do të mbetet, një partnere e palëkundur e tyre”, ka shkruar Krasniqi.