Krasniqi thotë se Kurti i mbylli shkollat për nxënësit, i hapi për zgjedhjet e VV-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti, të gjejë zgjidhje për grevën në arsim.
Sipas Krasniqit,  Kurti i mbylli shkollat për nxënësit, por i hapi për zgjedhjet e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Shkollat i mbylli për nxënës, por i hapi për zgjedhje të Vetëvendosjes, sepse për Albin Kurtin, karriget e pushtetit janë më të rëndësishme se karriget e nxënësve tanë që po vazhdojnë të mbesin të mbyllur nëpër shtëpi, për shkak të arrogancës së tij…Tamam si një Don Kishot që lufton me mullinjtë e erës”, shkroi kreu i PDK-së, duke theksuar se Kurti nuk po tregohet partner fleksibil me SBASHK-un, “vetëm e vetëm që të quhet ‘i pathyeshëm’ nga militantet e tij, është mentalitet diktatorial.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
I pari i PDK-së tutje ka shtuar se Kurti po i ushqen fantazitë e tij, larg brengave dhe problemeve “që po rriten çdo ditë në Kosovë”.
“Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për zgjidhje konkrete të problemeve, jo për fjalë të thata e inate. Ka nevojë për lidership që e ruan dinjitetin e secilit qytetar e jo për lider që krijon ndasi edhe më të mëdha në shoqëri. Lëviz nga vendi, Kryeministër! Ofro zgjidhje! Ktheji fëmijët në shkolla”, shkroi tutje deputeti Krasniqi.
Lëvizja Vetëvendosje i po zhvillon zgjedhjet e brendshme partiake./21Media

Back to top button