Krasniqi uron kryeministrin e parë shqiptar Talat Xhaferi: Ditë historike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka përgëzuar Talat Xhaferin me rastin e zgjedhjes për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, duke htënë se kjo është një ditë historike, e krenarisë dhe emocioneve të larta.

Krasniqi po ashtu ka uruar të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që përpjekjet e tyre shekullore për barazi, drejtësi e faktorizim, po kulmojnë me kryeministrin e parë shqiptar në histori të këtij shteti.

“Sot, mbi të gjitha, është dita për të përgëzuar edhe liderin e shqiptarëve në këtë shtet, heroin e luftës dhe paqes, Ali Ahmetin, i cili, me maturinë dhe vizionin e tij luajti rolin kryesor në ngritjen e shqiptarëve dhe realizimin e kësaj të arriture historike.

Nuk kam dyshimin më të vogël se, me eksperiencën, përkushtimin dhe përgatitjen e tij, Talat Xhaferi do të jetë një Kryeministër i mirë, i drejtë dhe kredibil për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut në mandatin e tij. Punë të mbarë dhe suksese, mik. Urime të gjithëve!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Back to top button