Krasniqi: Vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme

Prishja e raporteve më miqtë ndërkombëtarë, vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës, bashkëpunimi me kriminelin Millan Radojçiq dhe Listën Serbe, takimet dhe vendimet e fshehta në dëm të interesit nacional – janë disa prej shkaktarëve të cilat kanë bërë që kjo Qeveri ta humbas tërësisht kredibilitetin e saj, kështu thuhet në një komunikatë për media nga PDK-ja.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka mbajtur sot një takim të përbashkët në mes të Kryesisë së Partisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së.

Gjatë këtij takimi, Kryetari Krasniqi, Kryesia e Partisë, deputetët e Grupit Parlamentar, dënuan edhe një herë provokimin dhe dhunën e Qeverisë ndaj deputetëve të PDK-së, të shkaktuar në seancën e Kuvendit, të enjten më 13 korrik.

Sipas Krasniqit, i gjithë ky orkestrim i Qeverisë ndodhi për të tërhequr vëmendjen nga skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet – koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Me këtë rast, Kryetari Krasniqi, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetët e Grupit Parlamentar, njëzëri kërkuan zbardhjen e të vërtetës e cila fshihet prapa përgjimeve të cilat dëshmojnë bashkëpunimin e fshehtë të Qeverisë Kurti me Radojçiqin dhe Listën Serbe. PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht. PDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të tregoj se çfarë po ndodhë edhe me situatën në pjesën veriore të Kosovës. Pse lëshoi pe Qeveria dhe pranoi të tërhiqet nga pjesa veriore, pas disa muajve të tensionit dhe detyrimit të aleatëve tanë që t’i vënë sanksione Kosovës? Pse u liruan kriminelët serbë të arrestuar për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it? Për të gjitha këto veprime dhe takimet e fshehura dhe të paparalajmëruara të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me ata të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian – PDK kërkon transaprencë dhe llogaridhënie të plotë”, thuhet në komunikatë.

PDK tutje ka konsideruar se rruga e vetme është mbajtja e zgjedhjeve.

“Gjithsesi, duke parë se kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin – PDK konsideron se zgjidhja e vetme për ta larguar Kosovën nga kjo rrugë e shkatërrimit të çdo gjëje që është arritur në vitet e lirisë e të shtetësisë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë. Formimi i një qeverie të re që do të kthejë Kosovën në binarët e rrugës euro-atlantike është jetike për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë. Vetëm duke rivendosur e forcuar aleancat ndërkombëtare e forcojmë edhe shtetin tonë”, thuhet tutje në komunikatë./21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

 

Back to top button